Lot lamtumire pas ndeshjes së fundit, 17 vite e gjysmë karrierë, iku gjysma e jetës
Gonzalo Higuain zhvilloi mëngjesin e sotëm ndeshjen e fundit si futbollist profesionist.
Inter Miami u mposht 3-0 nga New York City në sfidën e raundit të 1/8-ve në MLS, ndërkohë që “El Pipita” nuk i mbajti dot lotët dhe u shfaq shumë i emocionuar në fund të ndeshjes.
“Ëndrra mbaroi, tani fillon një jetë tjetër. 17 vite e gjysmë karrierë, iku gjysma e jetës. Më kaluan në mendje gjithë imazhet nga e gjithë karriera ime. Po largohem shumë i lumtur, sepse kam dhënë gjithçka nga vetja. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, deklaroi sulmuesi i njohur argjentinas pas përfundimit të duelit të fundit në karrierë.
- 34-vjeçari shënoi 366 gola
- Dhuroi 127 asiste në 785 ndeshje
- Fitoi 14 trofe me Realin, Napolin, Juventusin dhe Chelsea
- Me kombëtaren e Argjentinës u shpall nënkampion bote në Brazil 2014 dhe dy herë nënkampion në Amerikën Latine.
“Një shoku im i skuadrës më thoshte gjithmonë se duhet të tërhiqesh ti nga futbolli dhe jo futbolli nga ti. Duhet të ndalosh kur të jesh ende në formë, insistonte ai”, deklaroi goleadori disa ditë më parë kur lajmëroi fundin e karrierës së tij fantastike