Zona e humbjes së akullit në Groenlandë në tri dekadat e fundit është afërsisht 36 herë më e madhe se qyteti i Nju Jorkut, tokë që po u lë vendin me shpejtësi ligatinave dhe shkurreve, tregon një studim i publikuar të martën.
- Sasia e bimësisë në Groenlandë u dyfishua midis mesit të viteve 1980 dhe mesit të viteve 2010, pasi pjesët e vendit që dikur ishin të mbuluara me akull dhe borë u shndërruan në shkëmbinj, ligatina ose zonë shkurresh.
Duke analizuar imazhet satelitore, shkencëtarët zbuluan se Groenlanda kishte humbur 28,707 kilometra katrorë (rreth 11,000 milje katrorë) akull në periudhën prej tri dekadash dhe paralajmëruan për një kaskadë ndikimesh që mund të kenë pasoja të rënda për ndryshimet klimatike dhe në ngritjen e nivelit të detit.
- Temperaturat më të ngrohta të ajrit kanë shkaktuar humbjen e akullit, gjë që nga ana tjetër ka rritur temperaturat e tokës. Kjo ka shkaktuar shkrirjen e “permafrostit”, një shtresë e ngrirë vetëm nën sipërfaqen e Tokës dhe që gjendet në pjesën më të madhe të Arktikut, dhe kjo shkrirje çliron dioksid karboni dhe metan që ngroh planetin, duke kontribuuar në ngrohjen globale më të madhe. Shkrirja e “permafrostit” po shkakton gjithashtu paqëndrueshmëri të tokës, e cila mund të ndikojë në infrastrukturë dhe ndërtesa.
Groenlanda është ngrohur me dyfishin e normës mesatare globale që nga vitet 1970, dhe autorët e studimit paralajmërojnë se temperatura më ekstreme do të ketë në në ardhmen.
-
Groenlanda është ishulli më i madh në botë dhe është kryesisht i mbuluar nga akulli dhe akullnajat. Rreth 57,000 njerëz jetojnë në vend, i cili është një vend autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës. Pjesa më e madhe e popullsisë është vendase dhe shumë njerëz atje mbështeten në ekosistemet natyrore për mbijetesën e tyre.