Shtimi i flukseve emigratore është reflektuar në rritjen e ndjeshme të lejeve të qëndrimit, që vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë për shtetasit shqiptarë në vitin 2022.
-
Sipas Eurostat, në 2022 rreth 74 mijë shtetas shqiptarë (73,858) morën leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve është rritur me 34%.
Ndërkohë, kjo është shifra më e lartë e konstatuar që nga viti 2010, duke treguar qartë një tendencë të shtimit të personave që lënë vendin me synimin për të jetuar dhe punuar në një nga shtetet e Bashkimit Europon.
-
Që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat më të hershme të Eurostat, vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë gjithsej 832 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë. Kjo shifër është gati sa një e treta e popullsisë që raportohet se jeton në Shqipëri (Censi që do e tregojë saktë numrin e personave që kanë mbetur në vend po zhvillohet këtë vit).
Institucionet ndërkombëtare i shohin lejet e qëndrimit si treguesin kryesor për të matur nivelet e migrimit të një vendi.
Grafiku “Lejet e qëndrimit për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së” tregon se pasi kulmoi në 2008 (viti i parë kur Eurostat raporton të dhënat) numri i lejeve të qëndrimit filloi të binte ndjeshëm deri në 2014-n, duke reflektuar mbarimin e ciklit të parë të emigracionit, që kishte nisur në gjysmën e parë të viteve ’90.. Më pas nisi rigjallërimi i këtij cikli nga viti 2015, që u reflektua dhe në numrin e lartë të kërkesave për azil, që në atë kohë arriti në rekordin e gati 70 mijë personave.
-
Lejet e dhëna, po ashtu dhe kërkesat për azil, ranë më pas në 2020-n, si rrjedhojë e kufizimeve të pandemisë. Pas pandemisë nisi sërish një valë e re ikjeje, që u ndie shumë në vend, si në tregun e punës me bizneset që nuk gjenin do punonjës, ashtu dhe në konsum, me sipërmarrjet që ankoheshin për rënie të shitjeve.
Shtimi i lejeve të qëndrimit në 2022 është në linjë me rritjen e kërkesave për azil po këtë vit, që arritën nivelin më të lartë në gati një dekadë.
Italia dhe Greqia janë shtetet kryesore që kanë dhënë në vite leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë, ndërsa në 2022 u shënua rritje e ndjeshme e lejeve të dhëna nga Gjermania. Në 2022, Italia dha 34.8 mijë leje qëndrimi, Greqia 14.3 mijë dhe Gjermania 13.3 mijë.