Taulant Balla, deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh ish-koordinator i kësaj partie në qarkun e Elbasanit, rezulton të jetë vënë në përgjim nga prokuroria e këtij qyteti.
Përgjimi i deputetit Balla ka zgjatur vetëm dy ditë, dhe një gjë e tillë ka ndodhur pas masakrës së 3 shkurtit 2016 që ndodhi ndaj familjes “Çapja” në Elbasan.
- Përmes këtij vendimi gjykate mësohet se deputeti socialist Taulant Balla, është përgjuar në telefon për 46 orë e 50 minuta me vendim të gjyqtares Zamira Vyshka.
Sipas dokumentit në 3 shkurt 2016, ndodh një ngjarje e rëndë, dhe vriten tre persona, Agron Çapja, Enver Sinakoli, Eno Bedalli dhe plagosen 7 të tjerë.
Hetimet e policisë dhe prokurorisë, sollën përgjimin e dhjetëra personave me qëllimin e vetëm krijimin e dyshimeve se kush mund të ishin vrasësit.
Mes shumë numrave është vënë në përgjim dhe numri i deputetit të PD-s,Taulant Balla.
- Kërkesa për vënin në përgjim të Ballës, është bërë nga dy oficerët Edvin Ndreu dhe Eduard Hasani, të cilët i kërkonin prokurorëve të çështjes, vënien në përgjim të listës numerike të ofruar nga policia.
Nga sa ka rezultuar të gjithë numrat janë vënë në përgjim, nga gjykata, përfshirë këtu dhe ai i deputetit Taulant Balla.
- Për shkak të ngjarjes shumë të rëndë, numrat janë vënë me shumë urgjencë në përgjim, dhe Taulant Balla, është përgjuar për vetëm dy ditë.
Por pas këtyre dy ditëve, sërisht të dy oficerët e policisë, i kanë kërkuar me urgjencë prokurorisë të nxirrte nga përgjimi numrin e deputetit të PS, Taulant Balla.
Pas kësaj procedure, prokuroria ka angazhuar sërisht gjyqtaren Zamira Vyshka, e cila ka vendosur në datën 17 shkurt 2016, asgjësimin e disketës që përmbante 46 orë e 50 minuta përgjim.
Me këtë vendim, gjykata i ka dhënë fund çdo bisede të përgjuar nga prokuroria për Taulant Ballën.
- I habitshëm është fakti se edhe pse numri i deputetit jepet i plotë, emri i tij në vendim shënohet vetëm me gjeneralitetin, Taulant. Për këtë emër foli 1 ditë më parë në Gjykatën e Posaçme dhe i pandehuri Ardjan Çapja, i cili i kërkoi prokurorisë që të hetonte rolin e personit me emrin Taulant. /Ora news/