Mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe analistit Andi Bushati po zhvillohet një përplasje në distancë. Veliaj me anë të rrjeteve sociale, i kujtonte Bushatit, një foto të tij, kur ka qenë fëmijë me Enver Hoxhën.
Në një prononcim në Tv “Euronews Albania”, Bushati nuk e mohon prejardhjen e tij, thekson se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e ka kthyer Tiranën në një qytet të pajetueshëm me miliona metra katrorë ndërtime gjatë 2 mandateve të tij.
- Bushati u shpreh se e kishte mbështetur Veliajn në vitin 2015 kur bënte fushatë me premtimin për zero ndërtime në Tiranë, por rezultoi krejt e kundërta.
“Kam diçka personale si qytetar i Tiranës, si njeri i angazhuar se nëse sot kemi një kryetar bashkie, i cili ka qenë me mua në studio kur bënte fushatë në 2015 dhe bëri thirrje më votoni me sloganin 0 ndërtime në Tiranë dhe sot flitet për miliona metra katrorë dhe si qytetar i Tiranës kam diçka personale se qyteti im është më i shëmtuar, më i pisët, më vdekjeprurës se më parë. Pra, s’kam si mos ta kem personale, plus që kur e sheh si gazetar angazhimi është edhe më i madh”, tha Bushati.