Rënia e lindshmërisë vijon të jetë një problematikë e mprehtë për shoqërinë shqiptare. Sociologia Eva Sinanaj, thekson se nëse vazhdohet me këto ritme, shoqëria shqiptare do të shkojë drejt vetëzhdukjes.
Ndër të tjera ajo sqaroi arsyet që kanë çuar në këtë situatë, ndërsa theksoi se duhen ndjekur politika për inkurajimin e çifteve që të sjellin në jetë fëmijë.
Rënia e lindshmërisë në Shqipëri është kthyer në një problem madhor, që duket se shqetëson çdo hallkë të shoqërisë. Ky fenomen është bërë më agresiv përgjatë viteve të fundit, ku të dhënat statistikore tregojnë se një çift nuk arrin dot të zëvendësojë as vetveten.
Nëse vazhdohet me këto ritme, shoqëria shqiptare do të shkojë drejt vetëzhdukjes.
Të dhënat statistikore tregojnë se nga viti 2001 deri në 2023 norma e fertilitetit është përgjysmuar, duke rënë nga një nivel 2.31 fëmijë për grua në 1,21 fëmijë. Kjo ishte rënia më e fortë në 30 vitet e fundit, që nga viti 1993, duke tejkaluar edhe projeksionet më pesimiste për ecurinë e popullsisë së vendit deri në vitin 2060, të zhvilluara nga INSTAT.