Marrëveshja me qeverinë italiane për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve të paligjshëm ka ende shumë paqartësi për funksionimin e saj. Në anën tjetër të Adriatikut ka zëra kritikë për shkeljen e të drejtave të njeriut apo një zgjidhjeje të shtrenjtë dhe jo efikase të problemeve me emigracionin nga qeveria e djathtë e kryeministres Meloni.
Ndërsa në pjesën shqiptare, dyshimet mbi ngritjen e këtyre qendrave janë duke u fokusuar në problemet me sigurinë që mund të sjellin për komunitetin në zonë emigrantët që udhëtojnë nga vendet afrikane dhe në konflikte.
- Nevojitet të theksohet se marrëveshja për ndërtimin e qendrave të emigrantëve në portin e Shëngjinit dhe bazën ajrore në Gjadër parashikon që të mbajë të izoluar brenda rrethimit me tela mbi 7 metra të lartë deri në 3 mijë emigrantë çdo muaj. Të dy objektet do të kenë personel italian dhe do të funksionojnë nën juridiksionin italian. Megjithatë, siguria e jashtme do të realizohet nga rojet shqiptare. Në kamp do të jetë vetëm emigrantë nga vende që Italia i konsideron të sigurta, të cilët nuk kanë shanse për të përfituar azilin politik në Bashkimin Evropian.
Edhe nëse emigrantët do të munden të arratisen nga kampet ata do të tentojnë me siguri që të udhëtojnë drejt vendeve të Evropës veriore, duke lënë pas Shqipërinë. Prej vitesh vendi ynë është pjesë e kalimit tranzit të emigrantëve që largohen nga vendet e përfshira në luftime si Siria, apo zonat e tjera të Lindjes së Mesme, që më parë ishin nën kontrollin e ISIS. Kampet në Lezhë nuk do të ishin burimet e vetme të rrezikut që mund të sjellë emigracioni i paligjshëm.