Ja arsyet e doreheqjes se Mançinit

Problemet në staf ose paratë nga Arabia

  • 240 milionë dollarë largojnë Mançinin nga Italia

Si një rrufë në qiell të hapur dhe në një moment shumë të vështirë, duke qenë se fundjavën tjetër nis sezoni i ri, por edhe ndeshjet e radhës së kombëtares janë në shtator. Gjithsesi, Roberto Mançini nuk është më trajneri i Italisë pas 5 vitesh në krye të saj, e cila kulmoi me fitoren e Europianit 2020 (më 11 korrik 2021 në Londër), por ndërkohë u njollos edhe nga plaga e rëndë e mospjesëmarrjes në Botërorin 2022, në Katar.

Dhe teksa eliminatoret për Europianin 2024 kanë nisur, udhëtimi i Italisë drejt pjesëmarrjes në turneun gjerman papritur lëkundet, sepse kreu i stolit të kombëtares “axurre” ka vendosur që të dorëhiqet dhe mos t’i lejojë vetes mundësinë për të mbrojtur poltronën e kampionit në fuqi të kontinentit. Arsyet nuk dihen ende, pasi edhe vetë trajneri nuk ka dashur që të japë shumë shpjegime në reagimin e bërë disa orë pas vendimit, por arsyet mund të lidhen ose me situatën brenda stafit të tij drejtuese, ose me modën e re që ka emrin, Arabi Saudite.

PROBLEMET NË STAF – Për sa i përket çështjes brenda kombëtares, kishte shumë kohë që Roberto Mançini qëndronte disi gjatë pa u prononcuar, por në momentin kur atij iu dha edhe përgjegjësia për të qenë përgjegjësi i kombëtareve U-20 dhe U-21 të Italisë, ja ku vjen lamtumira e papritur. Madje, në momentin që mendohej se Roberto Mançini do të kishte edhe një ndihmë më shumë për eliminatoret e “Euro 2024”, me emërimin e Xhanluixhi Bufonit si shefin e delegacionit “axurr”, sërish diçka ka çeduar dhe ndoshta ajo mund të lidhet me dorëheqjen e mëparshme të ndihmësit të tij kryesor, Alberigo Evani.
MILIONAT ARABE – Një tjetër zë, që sa vjen e bëhet më i fortë, lidhet me një ofertë të parezistueshme që ndoshta Roberto Mançini ka marrë nga Arabia Saudite, e cila ka vendosur që të thithë ajkën e Europës drejt tokës së vet. Dhe pas shumë kampionëve si Ronaldo, Benzema, Mane etj., duket se Roberto Mançini është i përzgjedhuri i Federatës Arabo-saudite të Futbollit për stolin e kombëtares. Dhe shifra që i është vënë në dispozicion është thjesht e frikshme, 60 milionë dollarë në vit, për 4 vitet e ardhshme, ose 240 milionë në total. Dhe padyshim që një ofertë e tillë mund të ketë lëkundur e tunduar edhe një trajner me shumë eksperiencë edhe si Mançini, i cili sheh te ky çek i mundshëm (priten konfirmime) daljen në pension si pasanik dhe pse jo mbylljen e karrierës së tij si trajner.

Author: jehona